Në kuadër të angazhimit të Dorcas Albania për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për komunitetet lokale, u zhvillua një trajnim 2 ditor i specializuar për 37 infermierë mbi sëmundjet kardiovaskulare dhe demencën. Aktiviteti u realizua në kuadër të programit “Fuqizimi Social, Mbrojtja dhe Zhvillimi i Integruar i Grupeve të Ndjeshme në Rajonin e Korçës”, komponenti “Rrjetat e Sigurisë në Komunitet”, në bashkëpunim me Priscilla Foundation dhe institucionet lokale të kujdesit shëndetësor në Korçë.
Trajnimi u konceptua si një ndërhyrje konkrete për të adresuar nevojat në rritje për kujdes të specializuar, në një kohë kur sëmundjet kronike dhe problematikat e lidhura me plakjen e popullsisë po shtojnë presionin mbi shërbimet shëndetësore. Programi kombinoi mësimin teorik me praktika konkrete, duke pajisur pjesëmarrësit me njohuri bashkëkohore dhe aftësi praktike për parandalimin, identifikimin dhe menaxhimin e këtyre problematikave shëndetësore.
Trajnimi u udhëhoq nga dy trajnere me përvojë shumëvjeçare në fushën e infermierisë dhe edukimit shëndetësor, Diana Walhout-Kaan dhe Marjan Goedegebuur, të cilat sollën modele bashkëkohore të kujdesit dhe përvoja praktike nga sistemi shëndetësor holandez.
Ky aktivitet përfaqëson një hap konkret në rritjen e kapaciteteve të stafit infermieror dhe në përmirësimin e cilësisë së kujdesit për të moshuarit dhe pacientët me nevoja të veçanta. Dorcas Albania mbetet e angazhuar të mbështesë iniciativa që fuqizojnë komunitetet dhe përmirësojnë cilësinë e jetës së personave më vulnerabël.