Fushata Dhurimi
Idetë tona janë të thjeshta, por me ndikim të madh: të arrijmë tek fëmijët në zonat rurale dhe të krijojmë një ambient mësimor të ngrohtë dhe tërheqës, pavarësisht kufizimeve të infrastrukturës.
Për këtë, ne do të përdorim një fugon të përshtatur, me karrige dhe tavolina portabël, duke e kthyer çdo vend në një klasë të gjallë. Qëllimi ynë është që fëmijët të kenë mundësinë të mësojnë në një mjedis motivues dhe të sigurt, të nxisim kreativitetin, kuriozitetin dhe bashkëpunimin mes tyre.
Ky koncept nuk është vetëm një mënyrë për të sjellë shkollën te fëmijët, është një mundësi për të sjellë shpresë dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Shkolla Lëvizëse do të sjellë dije, gëzim dhe komunitet aty ku më shumë nevojitet.
Ne besojmë se arsimi është çelësi për një të ardhme më të mirë, dhe me këtë projekt, ne do ta bëjmë atë të prekshëm për çdo fëmijë, kudo që ai ndodhet.
“Zëri i Gjyshërve – Libri i Historive që Nuk Duhen Humbur” është një nismë e grupit “Times – Albanët”, që synon të rikthejë lidhjen emocionale mes brezave dhe të ruajë historitë e çmuara të të moshuarve. Në një kohë kur traditat dhe kujtimet po humbasin, ky project synon të mbledhë rrëfimet e gjyshërve përmes intervistave të realizuara nga nxënësit/adoleshentët dhe t’i kthejë ato në një libër të veçantë.
Nxënësit do të dokumentojnë kujtimet personale, këshillat dhe përvojat jetësore të të moshuarve, duke krijuar një arkiv emocional që i jep zë historive që përndryshe mund të harroheshin. Të moshuarit do të përfitojnë duke u ndjerë të dëgjuar, të vlerësuar dhe më pak të vetmuar. Nxënësit do të rriten emocionalisht, fitojnë empati dhe kuptojnë më mirë origjinën e tyre. Familjet do të marrin një libër kujtimesh që qëndron si trashëgimi e përhershme. Komuniteti përfiton nga forcimi i lidhjeve ndërmjet brezave dhe nga rritja e respektit për historinë lokale.
Qëllimi i këtij grupi të rinjsh është të botojnë librin “Zëri i Gjyshërve” dhe të dokumentojnë sa më shumë histori që meritojnë të ruhen. Me këtë projekt mund të luftohet vetmia e të moshuarve, të frymëzohen të rinjtë dhe të krijohet një urë të qëndrueshme midis së shkuarës dhe së ardhmes.
Le t’i japim së bashku zë kujtimeve që meritojnë të jetojnë gjatë!
Kjo iniciativë është ideuar nga nxënësit e shkollës “Ymer Dishnica” dhe synon të mbështesë shkollën e fshatit Lubonjë, duke përfshirë vetë nxënësit në aktivitete vullnetare dhe kreative. Me ndihmën e trajnerëve të SOEN, ata do të punojnë së bashku për të mbledhur fonde për laptopë, mjete kancelarie dhe një videoprojektor — mjete që u nevojiten nxënësve të kësaj shkolle për të rritur cilësinë e të mësuarit. Gjatë këtij rrugëtimi, nxënësit do të japin shembullin e tyre si qytetarë aktivë dhe të përgjegjshëm për komunitetin.
Kjo nismë është më shumë se një projekt shkollor — është një mundësi për të ndihmuar fëmijët të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Duke dhuruar, ju nuk po mbështesni vetëm blerjen e pajisjeve; ju po i jepni fuqi një brezi të ri të besojë se solidariteti dhe puna së bashku sjellin ndryshim. Çdo kontribut, i vogël apo i madh, bëhet pjesë e një historie të bukur që po e ndërtojmë të gjithë bashkë.
Fushata “Kovat Blu” është një fushatë ushqimore që organizohet çdo vit nga Fondacioni Dorcas Albania. Synimi i kësaj fushate është të sigurojë ushqime për të moshuarit e vetmuar dhe familjet që jetojnë në kushte të vështira, si dhe të mobilizojë komunitetin në mbështetje të këtyre kategorive. Përveç dhurimit, ne synojmë të ndërgjegjësojmë komunitetin për kushtet dhe sfidat me të cilat përballen këto grupe, në mënyrë që vetë komuniteti të ofrojë mbështetje për të lehtësuar jetën e tyre.
Pse “Kova Blu”?
Ngjyra blu është simbol i Dorcas-it, ndërsa kova është një mjet i dobishëm për familjet. Ajo do të mbushet me ushqime bazë, duke ofruar një ndihmë të domosdoshme për ata që kanë nevojë. Çdo kovë e mbushur është një dorë e zgjatur, një mesazh dashurie dhe kujdesi.
Pse të kontribuoni?
Të bësh DIFERENCËN
Me kontributin tuaj, ndihmoni në sigurimin e produkteve të nevojshme për familjet që jetojnë në vështirësi.
Të bëhesh pjesë aktive e KOMUNITETIT
Kontributi juaj ndihmon në ndërtimin e një komuniteti më të fortë dhe më të bashkuar.
Ne nuk dhurojmë thjesht një kovë me ushqime — ne ripërtërijmë shpresën se këto familje nuk janë vetëm. Çdo ndihmë është e çmuar dhe sjell një ndryshim të rëndësishëm.
Si mund të kontribuoni?
- Duke dhuruar produktet me të cilat do të mbushet kova. Për këtë, mund të na kontaktoni dhe ne do t’ju udhëzojmë se ku mund të bëni dhurimin.
• Duke dhuruar financiarisht. Në këtë rast, ne do të kujdesemi të blejmë produktet ushqimore dhe t’i dërgojmë tek familjet në nevojë.