Fushata Dhurimi

Idetë tona janë të thjeshta, por me ndikim të madh: të arrijmë tek fëmijët në zonat rurale dhe të krijojmë një ambient mësimor të ngrohtë dhe tërheqës, pavarësisht kufizimeve të infrastrukturës.
Për këtë, ne do të përdorim një fugon të përshtatur, me karrige dhe tavolina portabël, duke e kthyer çdo vend në një klasë të gjallë. Qëllimi ynë është që fëmijët të kenë mundësinë të mësojnë në një mjedis motivues dhe të sigurt, të nxisim kreativitetin, kuriozitetin dhe bashkëpunimin mes tyre.
Ky koncept nuk është vetëm një mënyrë për të sjellë shkollën te fëmijët, është një mundësi për të sjellë shpresë dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Shkolla Lëvizëse do të sjellë dije, gëzim dhe komunitet aty ku më shumë nevojitet.
Ne besojmë se arsimi është çelësi për një të ardhme më të mirë, dhe me këtë projekt, ne do ta bëjmë atë të prekshëm për çdo fëmijë, kudo që ai ndodhet.

“Kampi i vullnetarëve të vegjël” është një nismë edukative që synon t’i shkëpusë fëmijët nga ekranet dhe teknologjia, duke i afruar me botën reale përmes lojës, krijimtarisë dhe aktiviteteve praktike. Kampi ndihmon fëmijët të zhvillojnë imagjinatën, empatinë, bashkëpunimin dhe aftësitë sociale në një mjedis të sigurt, argëtues dhe plot kuptime.

Aktivitetet kryesore përfshijnë: Dyqanin e Bamirësisë, ku fëmijët bëjnë “blerje” për të dhuruar; mesazhe mirësie dhe dekorim kutish, ku krijojnë kartolina pozitive dhe dizajne artistike; si dhe Volunteer Farming, ku fëmijët mbjellin fidanë dhe bimë për t’i dhuruar komunitetit. Përmes këtyre aktiviteteve ata mësojnë vlerën e solidaritetit, dhurimit dhe ndikimit pozitiv që mund të sjellin.

Pas kampit, fëmijët kanë mundësinë të bëhen pjesë e Klubit të Mirësisë, të marrin pjesë në evente të ardhshme dhe të shërbejnë si “ambasadorë të vegjël” të FoodBank-ut, duke vijuar kështu rrugëtimin e tyre në vullnetarizëm.

LudiLab është një hapësirë kreative dhe e sigurt, e krijuar për t’u ofruar të rinjve një ambient ku mund të socializohen, të angazhohen në aktivitete ndërvepruese dhe të zhvillojnë aftësi personale e bashkëpunuese. Në shumë komunitete, të rinjtë e moshës 14–25 vjeç përballen me mungesën e vendeve ku mund të shprehin kreativitetin e tyre, të ndërtojnë lidhje pozitive dhe të kalojnë kohë cilësore larg izolimit social. LudiLab vjen pikërisht për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi, duke krijuar një qendër mikpritëse ku çdo i ri ndihet i mirëpritur dhe i përfshirë.
Nisma synon të mbështesë nxënës, studentë, të rinj me më pak mundësi, të rinj që janë të izoluar në aspektin shoqëror, si edhe grupe që kërkojnë hapësira për aktivitete bashkëpunuese dhe zhvillim aftësish sociale. Kjo hapësirë do të ofrojë lojëra mozaik, aktivitete sociale, punëtori arti, lojëra bashkëpunuese dhe programe të ndryshme kreative që nxisin komunikim, imagjinatë dhe lidhje komunitare.
Me LudiLab, ne duam të ndërtojmë një mjedis ku të rinjtë mund të lidhen me njëri-tjetrin, të mësojnë përmes lojës, të zbulojnë talentet e tyre dhe të rriten si individë aktivë në komunitet. Mbështetja për këtë nismë do të ndihmojë në krijimin e një qendre që transformon përvojën e të rinjve dhe i fuqizon ata për një të ardhme më të hapur, kreative dhe përfshirëse.

Grupi i cili propozon këtë nismë është “Brainstorms”- Albanët nga qyteti i Tiranës.

Qëllimi i nismës është organizimi i një ditë të plotë aktivitetesh kreative sportive dhe edukative për nxënësit e shkollës së Prushit, të udhëhequra nga nxënësit e shkollës “Albanët”. Nxënësit e kësaj shkolle duan të nxisin gëzim, motivim, një model pozitiv dhe të organizojnë aktiviteteve sociale, të cilat zakonisht mungojnë në shkollat periferike. Projekti synon të nxisë solidaritetin, vullnetarizmin dhe bashkëpunimin mes shkollave. Nxënësit e shkollës “Albanët” do të organizojnë përmes kësaj nisme 5 stacione aktivitetesh: art, muzikë, lexime, shkencë argëtuese dhe lojëra sportive. Kjo ditë do të jetë e mbushur me energji, kreativitet dhe gëzim për fëmijët e Prushit, duke sjellë ndikim të menjëhershëm dhe motivim afatgjatë. Ata që do përfitojnë nga kjo nismë janë fëmijët e shkollës së Prushit, nxënësit vullnetarë, që zhvillojnë empati, lidership dhe aftësi organizimi, komuniteti lokal, që përfiton nga bashkëpunimi ndërshkollor dhe shkolla pritëse, që përfiton materiale dhe energji pozitive.

“Zëri i Gjyshërve – Libri i Historive që Nuk Duhen Humbur” është një nismë e grupit “Times – Albanët”, që synon të rikthejë lidhjen emocionale mes brezave dhe të ruajë historitë e çmuara të të moshuarve. Në një kohë kur traditat dhe kujtimet po humbasin, ky project synon të mbledhë rrëfimet e gjyshërve përmes intervistave të realizuara nga nxënësit/adoleshentët dhe t’i kthejë ato në një libër të veçantë.

Nxënësit do të dokumentojnë kujtimet personale, këshillat dhe përvojat jetësore të të moshuarve, duke krijuar një arkiv emocional që i jep zë historive që përndryshe mund të harroheshin. Të moshuarit do të përfitojnë duke u ndjerë të dëgjuar, të vlerësuar dhe më pak të vetmuar. Nxënësit do të rriten emocionalisht, fitojnë empati dhe kuptojnë më mirë origjinën e tyre. Familjet do të marrin një libër kujtimesh që qëndron si trashëgimi e përhershme. Komuniteti përfiton nga forcimi i lidhjeve ndërmjet brezave dhe nga rritja e respektit për historinë lokale.

Qëllimi i këtij grupi të rinjsh është të botojnë librin “Zëri i Gjyshërve” dhe të dokumentojnë sa më shumë histori që meritojnë të ruhen. Me këtë projekt mund të luftohet vetmia e të moshuarve, të frymëzohen të rinjtë dhe të krijohet një urë të qëndrueshme midis së shkuarës dhe së ardhmes.

Le t’i japim  së bashku zë kujtimeve që meritojnë të jetojnë gjatë!

Kjo iniciativë është ideuar nga nxënësit e shkollës “Ymer Dishnica” dhe synon të mbështesë shkollën e fshatit Lubonjë, duke përfshirë vetë nxënësit në aktivitete vullnetare dhe kreative. Me ndihmën e trajnerëve të SOEN, ata do të punojnë së bashku për të mbledhur fonde për laptopë, mjete kancelarie dhe një videoprojektor — mjete që u nevojiten nxënësve të kësaj shkolle për të rritur cilësinë e të mësuarit. Gjatë këtij rrugëtimi, nxënësit do të japin shembullin e tyre si qytetarë aktivë dhe të përgjegjshëm për komunitetin.

Kjo nismë është më shumë se një projekt shkollor — është një mundësi për të ndihmuar fëmijët të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Duke dhuruar, ju nuk po mbështesni vetëm blerjen e pajisjeve; ju po i jepni fuqi një brezi të ri të besojë se solidariteti dhe puna së bashku sjellin ndryshim. Çdo kontribut, i vogël apo i madh, bëhet pjesë e një historie të bukur që po e ndërtojmë të gjithë bashkë.

Kjo platformë është ende në ndërtim e sipër. Nëse hasni probleme, ju sigurojmë se do të zgjidhen brenda një kohe shumë të shkurtër.