Aftësi që rrisin standardin e kujdesit në shtëpi për të moshuarit

Me fokus në rritjen e cilësisë së shërbimeve për të moshuarit, Dorcas Albania, në bashkëpunim me Priscilla Foundation, organizoi një trajnim të specializuar për 12 kujdestare që aktualisht ofrojnë shërbime për 24 të moshuar në komunitet, në kuadër të projektit “Unë Kujdesem për Ty”. Trajnimi u udhëhoq nga trajnerët ndërkombëtare Diana Walhout-Kaan dhe Marjan Goedegebuur, të cilat sollën ekspertizë profesionale dhe modele bashkëkohore të kujdesit.

Tema e trajnimit, “Kujdesi bazë për të moshuarit në kushte shtëpie”, u zhvillua përmes një metode interaktive, duke kombinuar teori të strukturuar me demonstrime praktike dhe teknika konkrete për përkujdesjen e përditshme, lëvizjen e sigurt dhe higjienën personale të të moshuarve. Ky format mundësoi që pjesëmarrëset të pajisen me aftësi të drejtpërdrejta dhe standarde më të larta profesionale në ofrimin e kujdesit.

Cilësia e lartë e trajnimit dhe përmbajtja praktike e tij ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve që kujdestaret ofrojnë çdo ditë në shtëpitë e të moshuarve, duke rritur sigurinë, dinjitetin dhe mirëqenien e tyre. Njëkohësisht, trajnimi fuqizon pjesëmarrëset me kompetenca të reja profesionale, duke rritur besimin në vete dhe mundësitë për angazhim të qëndrueshëm në fushën e kujdesit social.

Ky aktivitet përfaqëson një kontribut konkret në aftësitë e grave që ofrojnë kujdesin e përditshëm, duke garantuar shërbime më cilësore, më të sigurta dhe më të besueshme për një nga grupet më të ndjeshme të komunitetit.

Kjo platformë është ende në ndërtim e sipër. Nëse hasni probleme, ju sigurojmë se do të zgjidhen brenda një kohe shumë të shkurtër.