Aktivitete

Me fokus në rritjen e cilësisë së shërbimeve për të moshuarit, Dorcas Albania, në bashkëpunim me Priscilla Foundation, organizoi një trajnim të specializuar për 12 kujdestare që aktualisht ofrojnë shërbime për 24 të moshuar në komunitet, në kuadër të projektit “Unë Kujdesem për Ty”. Trajnimi u udhëhoq nga trajnerët ndërkombëtare Diana Walhout-Kaan dhe Marjan Goedegebuur, të cilat sollën ekspertizë profesionale dhe modele bashkëkohore të kujdesit.

Tema e trajnimit, “Kujdesi bazë për të moshuarit në kushte shtëpie”, u zhvillua përmes një metode interaktive, duke kombinuar teori të strukturuar me demonstrime praktike dhe teknika konkrete për përkujdesjen e përditshme, lëvizjen e sigurt dhe higjienën personale të të moshuarve. Ky format mundësoi që pjesëmarrëset të pajisen me aftësi të drejtpërdrejta dhe standarde më të larta profesionale në ofrimin e kujdesit.

Cilësia e lartë e trajnimit dhe përmbajtja praktike e tij ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve që kujdestaret ofrojnë çdo ditë në shtëpitë e të moshuarve, duke rritur sigurinë, dinjitetin dhe mirëqenien e tyre. Njëkohësisht, trajnimi fuqizon pjesëmarrëset me kompetenca të reja profesionale, duke rritur besimin në vete dhe mundësitë për angazhim të qëndrueshëm në fushën e kujdesit social.

Ky aktivitet përfaqëson një kontribut konkret në aftësitë e grave që ofrojnë kujdesin e përditshëm, duke garantuar shërbime më cilësore, më të sigurta dhe më të besueshme për një nga grupet më të ndjeshme të komunitetit.

Në kuadër të angazhimit të Dorcas Albania për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për komunitetet lokale, u zhvillua një trajnim 2 ditor i specializuar për 37 infermierë mbi sëmundjet kardiovaskulare dhe demencën. Aktiviteti u realizua në kuadër të programit “Fuqizimi Social, Mbrojtja dhe Zhvillimi i Integruar i Grupeve të Ndjeshme në Rajonin e Korçës”, komponenti “Rrjetat e Sigurisë në Komunitet”, në bashkëpunim me Priscilla Foundation dhe institucionet lokale të kujdesit shëndetësor në Korçë.

Trajnimi u konceptua si një ndërhyrje konkrete për të adresuar nevojat në rritje për kujdes të specializuar, në një kohë kur sëmundjet kronike dhe problematikat e lidhura me plakjen e popullsisë po shtojnë presionin mbi shërbimet shëndetësore. Programi kombinoi mësimin teorik me praktika konkrete, duke pajisur pjesëmarrësit me njohuri bashkëkohore dhe aftësi praktike për parandalimin, identifikimin dhe menaxhimin e këtyre problematikave shëndetësore.

Trajnimi u udhëhoq nga dy trajnere me përvojë shumëvjeçare në fushën e infermierisë dhe edukimit shëndetësor, Diana Walhout-Kaan dhe Marjan Goedegebuur, të cilat sollën modele bashkëkohore të kujdesit dhe përvoja praktike nga sistemi shëndetësor holandez.

Ky aktivitet përfaqëson një hap konkret në rritjen e kapaciteteve të stafit infermieror dhe në përmirësimin e cilësisë së kujdesit për të moshuarit dhe pacientët me nevoja të veçanta. Dorcas Albania mbetet e angazhuar të mbështesë iniciativa që fuqizojnë komunitetet dhe përmirësojnë cilësinë e jetës së personave më vulnerabël.

Si SMILES ndryshoi jetën e Tuasir dhe frymën e komunitetit në Pukë

Nga një i ri që u kthye nga emigrimi me ëndrra të mëdha, Tuasir sot është shembull i suksesit dhe frymëzimit në Pukë. Çelësi i këtij transformimi ishte programi SMILES i Dorcas, i cili i ofroi më shumë se një grant financiar: Tuasir përfitoi trajnime të dedikuara për sipërmarrjen, menaxhimin e financave, hartimin e planeve të biznesit dhe promovimin e shërbimeve në platformat online. Përmes mentorimit të vazhdueshëm, ai mësoi të ndërtojë rrjete bashkëpunimi me guida lokale dhe prodhues të zonës, duke e kthyer idenë e tij në realitet – bujtinën “Riza”.

Sot, falë mbështetjes së SMILES, Tuasir ka krijuar vende të reja pune, ka rritur ndërgjegjësimin për sipërmarrjen tek të rinjtë dhe ka sjellë një frymë të re bashkëpunimi në komunitet. Historia e tij është dëshmi e fuqisë që ka një program gjithëpërfshirës për të ndryshuar jetën e individit dhe për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm në zonat rurale.

 

Prezantimi i platformës kombëtare “VoluntEja” — një hapësirë digjitale bashkëpunuese që lidh organizata, institucione dhe individë me të njëjtin vizion për angazhimin qytetar dhe fuqizimin e komunitetit.

Kjo platformë është një mjet gjithëpërfshirës që ofron mundësi konkrete për pjesëmarrje aktive dhe ndërveprim ndërmjet brezave dhe aktorëve të ndryshëm në rajonin e Korçës.

Nga kjo iniciativë u realizua konkursi midis 3 grupeve vullnetarë nga rajoni i Korçës, me ide të mrekullueshme për përmirësimin e jetës së komunitetit:

  • Udhetarët! – nga Kolegji “Preka”, Korçë; me projektin “Miqtë me Katër Putra”
  • Ko.V.A + (Korca Volunteering Activism) nga shkolla “Ymer Dishnica”, Korçë; me projektin: “Lubo.Kutia e solidaritetit”
  • “Zemra e Komunitetit”, nga shkolla e bashkuar ‘Isuf Dalipi’, Mollaj; me projektitn “Këndet e Harmonisë, Fëmijë që Luajnë, të Moshuar që Gëzojnë

Të treja idete konkuruese do I gjeni të publikuara në platformën VoluntEja për të ftuar, të tjerë dhurues që ti bashkohen nismave vullnetarë të të rinjve.

Fitues u shpall projekti “Lubo.Kutia e solidaritetit” nga shkolla “Ymer Dishnica”, i cili do të mbështetet financiarisht nga Dorcas Aid International Albania.

Kjo platformë është ende në ndërtim e sipër. Nëse hasni probleme, ju sigurojmë se do të zgjidhen brenda një kohe shumë të shkurtër.